Elvana Gjata lindi më 3 Shkurt 1987 dhe është një këngëtare shqiptare në R'n'B e muzikë pop nga Tirana.
Emri i Elvana Gjatës nuk është i rastësishëm në botën e muzikës dhe
as thjesht për të plotësuar ndonjë nga kapriçiot e moshës. Rruga e saj
artistike ka filluar që fëmijë, me debutimet e saj të para në pallatin e
pionierëve. Që në pjesëmarrjen e saj të parë, në Festivalin e Zërave të
Rinj, vlerësohet me çmimin e tretë, me këngën "Të këndojmë së bashku".
Ky çmim e inkurajon edhe më tej në rrugën e saj të saponisur.
Merr pjesë në spektaklin "Kërkohet një yll", dhe në interpretimin e
këngëve të Laura Pauzinit del në finale, nën shkëlqimin e një ylli të
fshehur tek këngëtarja e re. E shtyrë nga i ati merr pjesë në edicionin e
parë të show-t televiziv, "Ethet e së premtes mbrëma". Elvana, me një
paraqitje të admirueshme skenike, por edhe me zërin e saj të ëmbël dhe
melodioz do të fitojë simpatinë jo vetëm të stafit realizues, por edhe
të publikut, i cili e ka votuar dhe e ka duartrokitur ngrohtësisht. Fati
e ndjek nga mbrapa dhe ajo do të jetë një nga dhjetë finalistët e një
prej spektakleve më të ndjekur në Shqipëri, ku evidentohet talenti i
këngëtarëve të rinj.
""Ethet e së premtes mbrëma", më hapi dyert e suksesit, në rrugën e
profesionalizmit muzikor" thotë Elvana, kur kujton momentet emocionuese
nga ky spektakël, i cili ndezi dritën jeshile në rrugën e saj muzikore.
Pas këtij spektakli, emri i Elvana Gjatës, nuk do të jetë më i panjohur,
por do të fillojë bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës shqiptare.
Menjëherë pas "Etheve", merr pjesë në një duet me solistin e grupit
"The Dreams" në "Maratonën e këngës popullore" dhe arrijnë të dalin edhe
në finale, ku Elvana dallohet edhe në interpretimin e këngëve
popullore. Në vitin 2003, merr pjesë përkrah emrave të njohur të muzikës
shqiptare, në festivalin e RTVSH, me këngën "Pranë teje", me një tekst
të shkruar nga ajo vete, ku shumë shpejt do të realizojë ëndrrën e saj
më të madhe.
Së fundi, tek "Kënga Magjike" e zhvilluar në Kosovë, paraqitet në një
bashkëpunim me Flori Mumajesin dhe Andy DJ. Kënga e saj "Vetëm Zoti e
di", ka pushtuar majat e hit-paredeve në Kosovë, por, edhe në Shqipëri
është një nga këngët më të dëgjuara në valët e radios "Energy". Një nga
qëllimet e saj në këtë koncert ishte që kënga të kishte sukses në tregun
muzikor dhe tani ndjehet e plotësuar dhe me fansa të shumtë. Është
vetëm 18 vjeç dhe ka filluar përgatitjet për albumin e saj të parë, që
pritet të dalë në tregun muzikor në korrik të këtij viti. Këngët e
albumit janë të rrymave të ndryshme, por mbizotëron rryma R&B, një
nga rrymat më të preferuara nga të rinjtë për momentin.
Deri tani janë regjistruar 11 këngë, të cilat janë punuar me
mjeshtëri nga Flori Mumajesi, producenti artistik i albumit. Kurse
këngët të gjitha janë të regjistruara në studiot e radios Energy, dhe
Andy Dj, i cili e ka mbështetur edhe financiarisht. Albumi do të
shoqërohet edhe me një videoklip, që do të filmohet jashtë vendit dhe që
do të jetë edhe surpriza e publikimit të albumit. Krahas përgatitjeve
për albumin e saj të parë, ajo po përgatitet edhe për fillimin e
studimeve të larta në Akademinë e Arteve, dega regjisurë. Nuk do ta
tradhtojë këngën, por në këtë degë ajo mendon të kompletohet
artistikisht, që në të ardhmen përveç se një regjisore e mirë, shpreson
të bëhet një show-girl e famshme.
Dy motra këngëtare Ka qenë Migena, motra e madhe e Elvanës, ajo që e
ka zbuluar si këngëtare. Ajo e ka shtyrë gjithmonë për pjesëmarrjet në
konkurse dhe spektakle të ndryshme televizive. Migena është studente në
vitin e fundit për kanto dhe për Elvanën, ajo ka qenë gjithmonë
"udhëheqësja e saj artistike". Dy vajzat e familjes Gjata, vajzat e
nënkolonelit Fatmir Gjatës, në rrugën që ato kanë nisur, kanë gjetur
gjithmonë mbështetjen e veçantë të babait të tyre, që padyshim një pjesë
e suksesit të tyre i dedikohet atij.

No comments:
Post a Comment